Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) pranë Bashkisë së Tiranës u bën apel qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë pagesat e taksave dhe tarifave vendore për vitin tatimor 2026 brenda afateve ligjore, për të shmangur penalitetet, kamatëvonesat dhe gjobat.
Gjatë muajit mars 2026 është përmbyllur procesi i gjenerimit dhe shpërndarjes së njoftimeve. Ky proces përfshin subjektet tregtarë për detyrimet e biznesit, si dhe individët pronarë të njësive tregtare për taksën mbi pasurinë e paluajtshme.
Njoftimet janë vënë në dispozicion elektronikisht në platformën e-Albania, ku çdo taksapagues i kryeqytetit mund të konsultojë detyrimin në profilin e tij. Po ashtu, ato janë dërguar me postë në adresat fizike të vetëdeklaruara nga taksapaguesit.
Afatet e pagesës janë:
- Për bizneset: deri më 31 maj 2026.
- Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme të pronarëve të njësive tregtare: kësti i parë deri më 20 prill 2026 dhe kësti i dytë deri më 30 qershor 2026.
DPTTV ofron asistencë për taksapaguesit. Për paqartësi, kontaktoni në adresën elektronike taksat@tirana.al ose paraqituni në sportelet e shërbimit.