Skuadra e Dritës do të zhvillojë të martën sfidën vendimtare kundër kampionit lituanez, Kauno Zalgiris, për të siguruar kalimin në rrethin e dytë eliminues të Ligës së Kampionëve. Takimi, që do të luhet në kryeqytetin kosovar, vjen pas rezultatit të barabartë 1-1 të regjistruar në ndeshjen e parë në Kaunas.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, trajneri Zekirija Ramadani pranoi se ekipi i tij shihet si favorit, por theksoi se gjasat për fitore mbeten të ndara në raportin 50-50. Sipas teknikut shkupjan, avantazhi kryesor i Dritës është mbështetja si vendas, ndërsa vuri theksin te rëndësia e përshtatjes me kushtet klimatike, të cilat ishin të ndryshme në ndeshjen e parë.
Ramadani u bëri thirrje lojtarëve të tij për një qasje më agresive dhe më të guximshme në repartin ofensiv. “Duhet të tregojmë guxim dhe ta mbajmë kundërshtarin larg zonës sonë. Synimi ynë nuk është spektakli, por loja me duele dhe shpirt luftarak për të arritur kualifikimin”, deklaroi ai. Trajneri theksoi gjithashtu se skuadra është e përgatitur për çdo skenar të mundshëm, përfshirë edhe lojën në kohën shtesë, duke shtuar se beson në një fitore brenda kohës së lojës.
Edhe portieri Faton Maloku ka bërë thirrje për përqendrim të lartë gjatë gjithë takimit. Ky duel shihet si një hap i rëndësishëm për Dritën, e cila synon të përsërisë sukseset e kaluara në garat evropiane, me objektivin afatgjatë për të arritur deri në fazën e plejofit të Ligës së Evropës.