Dy persona kanë humbur jetën në Tiranë gjatë ditës së sotme, në dy ngjarje të ndara. Policia ka njoftuar për rastet, ku një burrë ka pësuar arrest kardiak gjatë drejtimit të automjetit dhe një grua ka mbytur gjatë konsumimit të ushqimit në një lokal.
Shtetasi E. B., 45 vjeç, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak teksa drejtonte mjetin në autostradën Tiranë-Durrës. Si pasojë e kësaj, ai ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka ndërruar jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, shtetasja G. D., 53 vjeçe, ka humbur jetën në një lokal në rrugën Xhanfize Keko. Nga të dhënat paraprake, vdekja dyshohet se ka ardhur nga bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes gjatë konsumimit të ushqimit.
Policia po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.