E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, u takua më 3 mars 2026 me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Në njoftimin zyrtar të ambasadës thuhet se biseda u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit SHBA–Kosovë dhe mbështetjen e qeverisjes lokale që u shërben të gjitha komuniteteve. "E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua me ministrin Elbert Krasniqi për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit SHBA–Kosovë dhe mbështetjen e qeverisjes lokale që u shërben të gjitha komuniteteve. Institucionet përfaqësuese dhe pjesëmarrja aktive përbëjnë themelin e stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë rajonal", njofton ambasada.
Ministri Krasniqi deklaroi se në takim u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fushën e qeverisjes lokale, duke përfshirë takimet me kryetarët e komunave dhe prioritetet e ministrisë. Ai përmendi agjendën legjislative dhe programet që rrisin llogaridhënien, avancojnë transparencën dhe përfshirjen qytetare. "Partneriteti me Shtetet e Bashkuara është mbështetje e rëndësishme në ndërtimin e qeverisjes lokale të përgjegjshme, efikase dhe në shërbim të çdo qytetari", shtoi Krasniqi.