Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, deklaroi se mosfunksionimi aktual i Kuvendit të Kosovës paraqet pengesë për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gazë, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Ai shpjegoi se institucionet janë në fazën e përgatitjeve fillestare, por vendimi i Qeverisë duhet të miratohet në Kuvend. “Mungesa e funksionalitetit të Kuvendit të Kosovës, përveç shumë pengesave që i bën zhvillimit të përgjithshëm, është duke u bërë pengesë për mosdërgimin e FSK-së në Gazë. Ende jemi në fazën e përgatitjeve, mirëpo na duhet vendimi në Qeveri, ky vendim pastaj kalon në Kuvend, pastaj me shumicë votash Kuvendi e mandaton FSK-në për të marrë pjesë në Gazë dhe në fund përcillet te presidenti/presidentja për miratim”, tha Maqedonci në intervistën në emisionin “InfoNata” të T7-së.
Ministri përmendi koordinimin mes Qeverisë, Presidencës dhe institucioneve të tjera për këtë mision.
Për kontingjentin, ai specifikoi:
- Mbi 20 ushtarë fillimisht;
- Ushtarë nga fusha të ndryshme, me dominim nga operacionet speciale (oficerë dhe nënoficerë);
- Oficerë planifikues të lidhur me komandën e forcës stabilizuese;
- Ekipe mjekësore.
Maqedonci nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës, pasi kontribuon në paqe dhe siguri, ndërsa misioni është miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), edhe pse Kosova nuk është anëtare e saj.