Ish-agjenti i Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, Robert Ferguson, ka publikuar një analizë ku vlerëson se tensionet publike lidhur me projektin turistik në Zvërnec po shfrytëzohen nga aktorë të huaj. Ai thekson se pas narrativave që qarkullojnë në rrjetet sociale, të cilat pretendojnë për "kolonizim" apo "shitje të vendit", fshihet një operacion ndikimi me origjinë nga Irani.
Sipas Ferguson, këto lëvizje ndjekin modelin e "punës paraprake", ku debatet qytetare shndërrohen në mjete për të dëmtuar pozicionin gjeopolitik të një shteti. Ai argumenton se Shqipëria është shënjestruar për shkak të anëtarësimit në NATO dhe qëndrimeve të qarta kundër regjimit iranian, të cilat çuan edhe në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike pas sulmeve kibernetike.
Analiza nënvizon se, ndonëse ekzistojnë çështje të brendshme të debatuara, siç është projekti i lidhur me Jared Kushner, hetimet për korrupsion apo mbrojtja e zonave të mbrojtura, narrativat e jashtme po i përdorin këto shqetësime për të nxitur ndjenja antiamerikane dhe anti-perëndimore në vend.
Ferguson sjell në vëmendje historikun e operacioneve iraniane, duke përfshirë plane për atentate ndaj figurave të larta amerikane, si shembuj të mënyrës se si regjimi i Teheranit koordinon operacionet e tij në tokë të huaj. Ai paralajmëron se këto fushata nuk janë thjesht debate publike, por pjesë e një strategjie më të gjerë ndikimi.