Biznesmeni bullgar Iliyan Filipov është qëlluar për vdekje me plumb në kokë brenda pronës së tij në qytetin e Plovdivit. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:00 të së mërkurës. Filipov, i cili ishte themelues dhe drejtor ekzekutiv i PIMK, kompanisë më të madhe të transportit dhe logjistikës në Bullgari, mori drejtimin e klubit të futbollit Botev Plovdiv në verën e vitit 2025.
Autoritetet bullgare kanë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë, duke bllokuar pikat kryesore të hyrjes dhe daljes së qytetit të Plovdivit, i cili ndodhet rreth 145 kilometra në juglindje të kryeqytetit Sofje. Prokurorja e Qarkut, Vanya Hristeva, ka konfirmuar se hetimet janë aktive dhe po ndiqen të gjitha pistat e mundshme. Sipas Prokurorisë Publike, deri në këto momente nuk ka të dhëna që biznesmeni të ketë marrë kërcënime përpara ngjarjes.
Hetimi është fokusuar gjithashtu në dinamikat e fundit të veprimtarisë së viktimës. Sipas gazetës Koha Jone, Iliyan Filipov kishte pasur përplasje publike me kryetarin e bashkisë së Plovdivit, Kostadin Dimitrov, për shkak të vonesave në licencimin e fazës së fundit të punimeve në stadiumin “Hristo Botev”.
Klubi i futbollit Botev Plovdiv ka reaguar me hidhërim për humbjen e Filipovit, duke vlerësuar kontributin e tij thelbësor në drejtimin e klubit dhe rolin kyç në rindërtimin e stadiumit. Në një deklaratë zyrtare, klubi theksoi se ai do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së tyre. Ndërkohë, grupi hetimor vazhdon mbledhjen e provave për të identifikuar autorët e këtij krimi.
Përditësime
Prokuroria zbuloi se Iliyan Filipov u qëllua në kokë dhe kishte pasur përplasje publike me kryetarin e bashkisë së Plovdivit, Kostadin Dimitrov.