Kreu i mafias kaukaziane, Yannis Yushbayev, u vra të dielën pasdite në një pikë karburanti Paz pranë qytetit të Cezareas. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur autori i afrohet viktimës ndërsa po dilte nga një restorant pranë kafenesë Agenda dhe e qëllon në kokë nga një distancë shumë e afërt. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të Magen David Adom, viktima ndërroi jetë pas mbërritjes në Qendrën Mjekësore Hillel Yaffe.
Pas ngjarjes, autori dhe bashkëpunëtorët e dyshuar u larguan nga vendi i krimit me automjet. Policia izraelite ka ngritur postblloqe në rajon dhe ka angazhuar një helikopter për kapjen e tyre. Në vendin e ngjarjes mbërriti kreu i Policisë së Izraelit, Danny Levy, së bashku me komandantin e distriktit bregdetar. Autoritetet dyshojnë se vrasja është pasojë e një larjeje hesapesh mes grupeve kriminale.
Yushbayev ka qenë prej vitesh në vëmendjen e policisë së Haderës dhe njësisë qendrore të distriktit bregdetar. Ai ishte arrestuar disa herë për aktivitete të ndryshme kriminale, përfshirë:
• Hedhjen e granatave ndaj banesave dhe bizneseve në Hadera dhe Or Akiva.
• Të shtëna ndaj banesave dhe automjeteve private.
• Djegien e dhjetëra automjeteve.
• Ndërmjetësimin në konflikte mes sipërmarrësve.
Në fillim të këtij viti, Yushbayev u arrestua në aeroportin Ben-Gurion pas kthimit nga Rusia. Sipas informacioneve të policisë, ai ishte një nga objektivat më të spikatur për shkak të rrezikshmërisë së lartë të dyshuar në incidentet e rënda të regjistruara në rajon.