Emir Sahiti, sulmuesi 27-vjeçar kosovar, është huazuar te Maccabi Tel Aviv nga klubi gjerman Hamburg. Marrëveshja është për huazim deri në fund të sezonit 2025/26, me opsion për ta bërë transferimin të përhershëm.
Sahiti nuk ishte në planet e Hamburgut, ku që nga vera e 2024-s zhvilloi 26 paraqitje dhe shënoi 3 gola. Ai kishte ardhur te skuadra gjermane nga Hajduk Spliti.
Në deklaratën e tij, Sahiti shprehu entuziazmin: “Jam shumë i lumtur dhe emocionuar që i bashkohem Maccabi Tel Aviv, klub me histori të pastër dhe tifozë të devotshëm. Nga bisedat e para, e ndjeva vizionin e klubit dhe e dija që ishte hapi i duhur”.
Ai shtoi: “Jam i uritur, motivuar dhe gati që të jap gjithçka, ta ndihmoj skuadrën të fitojë trofe dhe t’i sjellë krenari tifozëve. Mezi pres ta ndjej atmosferën në Bloomfield Stadium”.
Sahiti karrierën e ka nisur te Trepça ’89 në Mitrovicë. Përfaqësuesi i Kosovës ka zhvilluar 7 paraqitje me fanellën kuqezi, ku ka realizuar 1 gol.