Pas shpalljes së vendimit dënues nga Gjykata e Hagës për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët janë dënuar me një total prej 81 vitesh burg, Endrit Thaçi ka bërë një reagim publik. Në deklaratën e tij ekskluzive për emisionin Ftesë në 5 në Top Channel, ai u shpreh se ky vendim ka qenë i vështirë për të dhe familjen e tij, por theksoi se nuk ka arritur t'i mposhtë.
Endrit Thaçi nënvizoi se përpjekja për drejtësi do të vijojë, duke shfrytëzuar të gjitha rrugët ligjore. Në mesazhin e tij, ai falënderoi thellësisht qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit për reagimet dhe fjalët mbështetëse, të cilat, sipas tij, kanë shërbyer si burim force në këtë periudhë të vështirë.
“Në këtë moment të vështirë, mbështetja juaj na ndihmon të vazhdojmë me qetësi, dinjitet dhe besim duke shfrytëzuar çdo mundësi ligjore që drejtësia të vihet në vend”, u shpreh ai. Endrit Thaçi konfirmoi se familja e tij do të vazhdojë angazhimin me kokën lart, të palëkundur në kërkimin e drejtësisë dhe të bindur në qëndrimin e tyre në anën e duhur të historisë.