Enkelejd Alibeaj, ish-deputet i Partisë Demokratike, deklaroi se protestat e kryedemokratit Sali Berisha, përfshirë protestën kombëtare të paralajmëruar për 24 janar, nuk priten të sjellin asgjë të re. Këto deklarata u bënë në emisionin "Tema e Ditës" të moderuar nga Arbër Hitaj në RTSH1, më 15 janar.
Alibeaj e cilësoi periudhën si një stinë të dendur protestash, jo vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga parti të tjera, por pa mobilizim publik të dukshëm. Ai evidentoi një paradoks: ngjarjet në mazhorancë, si procedimi penal ndaj zëvendëskryeministres dhe lufta e shpallur nga kryeministri Edi Rama ndaj sistemit të drejtësisë, tregojnë një gjendje sikleti në qeveri, por nuk janë reflektuar në aksionin opozitar.
"Nuk më rezulton ndonjë gjë ndryshe nga çka bërë deri më tani", tha Alibeaj. Ai shtoi se këto ngjarje rezonojnë në publik dhe do të duhej të shtynin opozitën drejt një organizimi masiv.