Recep Tayyip Erdogan mbërriti të hënën, më 2 nëntor, në Seul për një vizitë zyrtare me ftesë të presidentit të Koresë së Jugut, Lee Jae-myung. Vizita pritet të zgjasë deri më 4 nëntor dhe synon shqyrtimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Erdogan dhe bashkëshortja e tij, Emine Erdogan, u pritën në Bazën Ajrore të Seulit, në Seongnam, nga ministri i Tregtisë i Koresë së Jugut, Park Jung-sung. Në pritje morën pjesë edhe ambasadori i Turqisë në Korenë e Jugut, Fatih Yildiz, dhe bashkëshortja e tij, Nesrin Yildiz.
Bisedimet zyrtare mes dy presidentëve janë planifikuar për të martën, më 3 nëntor. Sipas njoftimeve, në takim do të trajtohen të gjitha aspektet e partneritetit strategjik, si dhe zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare. Gjatë vizitës, të dyja palët pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje ose dokumente që synojnë forcimin e kuadrit ligjor të marrëdhënieve dypalëshe.
Në delegacionin turk janë ministri i Jashtëm, Hakan Fidan; ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar; ministri i Mbrojtjes, Yasar Guler; dhe ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mehmet Fatih Kacir. Pjesë e delegacionit janë gjithashtu nënkryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, Halit Yerebakan, përgjegjës për politikat shëndetësore të partisë, dhe sekretari i Industrisë së Mbrojtjes, Haluk Gorgun.
Vizita u njoftua më herët nga kreu i Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, Burhanettin Duran. Sipas njoftimit të tij, vizita ishte planifikuar nga 1 deri më 4 nëntor; bisedimet zyrtare do të zhvilloheshin më 3 nëntor dhe gjatë qëndrimit do të nënshkruheshin dokumente për forcimin e kuadrit ligjor dypalësh.