Gazeta britanike The Guardian raporton se fondacioni bamirës Musk Foundation ka financuar udhëtimin e aktivistit të ekstremit të djathtë, Tommy Robinson, drejt Rusisë. Errol Musk, babai i miliarderit Elon Musk, konfirmoi se kishte udhëtuar së bashku me Robinson në Moskë dhe se shpenzimet ishin mbuluar nga organizata filantropike e themeluar nga Elon dhe Kimbal Musk.
“Unë e çova në Rusi”, citohet të ketë thënë Errol Musk, duke shtuar se gjatë qëndrimit janë zhvilluar takime me përfaqësues të biznesit rus, ku është diskutuar ndër të tjera edhe rënia e lindshmërisë. Vizita e Robinson (emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon) u realizua muajin e kaluar, ndërsa në të njëjtën periudhë në Rusi ndodheshin edhe influencuesit Andrew dhe Tristan Tate.
Pas kthimit në Britani, Robinson u ndalua nga autoritetet policore, të cilat sekuestruan telefonat e tij për hetime të mëtejshme. Profesor Stephan Lewandowsky nga Universiteti i Bristolit, ekspert i dezinformimit, vlerësoi për The Guardian se ky udhëtim përputhet me interesat strategjike të Rusisë për të ndërtuar lidhje me figura që mund të ndikojnë në destabilizimin e demokracive perëndimore, duke e klasifikuar si pjesë të një lufte hibride.