Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka përkujtuar njëvjetorin e lirimit nga burgu përmes një mesazhi në rrjetet sociale. Ai e ka cilësuar periudhën e kaluar në qeli si një "sprovë të burgosjes politike", duke pretenduar se kjo është sanksionuar nga 6 rezoluta ndërkombëtare.
Në reagimin e tij, Salianji thekson se pavarësisht kufizimit të përkohshëm të lirisë, ai nuk ka ndryshuar bindjet apo idealet e tij për t’iu përshtatur rrethanave. Ish-deputeti shprehet se liria nuk është një privilegj i dhënë nga pushteti, por një e drejtë që duhet mbrojtur çdo ditë.
Sipas Salianjit, Shqipëria ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin, për një politikë që pranon mendimin ndryshe dhe për qytetarë që kërkojnë më shumë demokraci, drejtësi dhe llogaridhënie. Në përfundim të mesazhit, ai thekson se pas një viti, bindja e tij është bërë edhe më e fortë, duke shtuar se pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk e ndryshojnë drejtimin e tij politik, ndërsa ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e marrë.