Mesfushori shqiptar Etnik Brruti ka lënë gjurmë që në ndeshjen e tij të parë si titullar me fanellën e Hajduk Splitit. Në takimin e javës së katërt të kampionatit kroat, të zhvilluar në stadiumin “Poljud” kundër Osijekut, 22-vjeçari shënoi golin e parë në fitoren bindëse 4-0 të skuadrës së tij.
Brruti zhbllokoi rezultatin në minutën e 9-të. Pas një pasimi diagonal drejt qendrës, futbollisti shqiptar arriti të shkëputej nga mbrojtësit kundërshtarë dhe me një goditje të fuqishme brenda zonës mposhti portierin. Performanca e tij u vlerësua lart nga platforma Sofascore me notën 8.1, duke i siguruar atij një vend në formacionin e javës së elitës kroate.
Futbollisti nga Kaçaniku iu bashkua Hajduk Splitit gjatë merkatos së kësaj vere si lojtar i lirë, pas mbylljes së kontratës me klubin e Malishevës. Me skuadrën kroate, Brruti ka nënshkruar një marrëveshje deri në vitin 2029. Përpara transferimit në Kroaci, ai ishte një ndër lojtarët më të spikatur në kampionatin e Kosovës, ku sezonin e kaluar shënoi 9 gola dhe dha 5 asistime në 35 ndeshje.
Në nivel ndërkombëtar, pasi ishte pjesë e përfaqësueses U21 të Kosovës, Brruti ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë, duke u bërë pjesë e grupmoshave të kuqezinjve. Te klubi i Hajdukut, ai gjen edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë, Rron Raqin dhe Aridon Pajazitin.