Dymbëdhjetë eurodeputetë, kryesisht anëtarë të Partisë Popullore Evropiane (PPE), i kanë drejtuar pyetje përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, lidhur me protestat në Shqipëri. Mes tyre është edhe Fredi Beleri. Eurodeputetët janë pjesë e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, ndërsa nisma u ndërmor me kërkesë të Reinhold Lopatkës, kreut të delegacionit austriak të PPE-së.
Në letrën e tyre, eurodeputetët pyesin se çfarë masash do të marrë Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm për t’i ngritur shqetësimet pranë autoriteteve shqiptare dhe për të kërkuar hetime të pavarura, të paanshme e efektive. Kërkesa përfshin pretendimet për përdorimin e forcës nga policia, pengimin e gazetarëve dhe shkeljen e të drejtave të personave të ndaluar, si dhe përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve policore. Ata kërkojnë publikimin e rezultateve dhe, në vijim, marrjen e masave të duhura gjyqësore ose disiplinore.
Sipas letrës, demonstratat kundër korrupsionit, kostove të arsimit dhe pakënaqësive socio-ekonomike janë përshkallëzuar. Aty thuhet se raportimet për plumba gome të qëlluar nga policia përfshijnë protestues dhe gazetarë të plagosur, ndërsa Avokati i Popullit po shqyrton domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e përdorimit të forcës. Eurodeputetët ngrenë gjithashtu shqetësimin për garancitë ligjore të personave të ndaluar, veçanërisht të miturve. Ata kërkojnë që, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe përmes monitorimit të pavarur, të sigurohen garancitë e parashikuara nga legjislacioni shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Letra përmend deklaratën e Komisionit Evropian të 18 tetorit, e cila dënoi dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet. Sipas eurodeputetëve, ajo nuk trajtoi mjaftueshëm llogaridhënien. Ata kërkojnë që të drejtat themelore dhe përgjegjësia për shkeljet e pretenduara të mbeten në qendër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, kërkojnë që angazhimet në kuadër të Grupkapitullit 1, “Themeloret”, veçanërisht ato për llogaridhënien e policisë dhe të drejtat themelore, të ndiqen me masa të matshme aty ku evidentohen mangësi.
Në një reagim të veçantë të publikuar më 23 tetor, PPE-ja kërkoi hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të pavarur për çdo pretendim për përdorim të tepruar, të paligjshëm ose joproporcional të forcës. Ajo theksoi se e drejta për protestë paqësore duhet respektuar plotësisht dhe se forcat e rendit duhet të veprojnë në mënyrë proporcionale.
PPE-ja dënoi gjithashtu aktet e dhunës dhe sulmet e paligjshme nga të gjitha palët, veçanërisht ato ndaj pronës dhe integritetit fizik të personave. Ajo bëri thirrje që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe tensionet të trajtohen përmes dialogut, uljes së përshkallëzimit dhe angazhimit demokratik. Në deklaratë, PPE-ja e lidhi të ardhmen e Shqipërisë me qeverisjen e përgjegjshme dhe llogaridhënëse, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e mundësive për qytetarët.