Kontinenti europian po përjeton një periudhë të vështirë për shkak të kushteve ekstreme atmosferike, të cilat përfshijnë zjarre, thatësirë dhe stuhi të fuqishme.
Në Spanjë, situata është kritike në verilindje të vendit, ku autoritetet kanë evakuuar rreth 1 mijë persona. Zjarrfikësit po përpiqen të vënë nën kontroll flakët me ndihmën e 30 mjeteve ajrore. Vetëm në rajonin e Aragonës, pranë Ores, zjarret kanë shkrumbuar mbi 12 mijë hektarë. Vatra të tjera aktive raportohen në afërsi të Madridit dhe në provincën Guadalajara. Shërbimi meteorologjik spanjoll ka parashikuar rritje të mëtejshme të temperaturave nga e diela, të cilat mund të arrijnë deri në 44 gradë Celsius.
Në Francë, thatësira dhe temperaturat e larta të ujit në Mesdhe po vështirësojnë ftohjen e reaktorëve të një centrali bërthamor në jug të vendit. Përveç të nxehtit, stuhitë e forta kanë shkaktuar humbjen e jetës së 2 personave dhe kanë lënë pa energji elektrike mbi 53 mijë familje.
Ndërkohë, në Gjermani, rënia e nivelit të ujit në lumin Rin ka penguar transportin lumor, duke rritur kostot e mallrave. Sipas të dhënave nga Reuters, temperatura mesatare në Europë është 27.5 gradë Celsius, shifër kjo 4.2 gradë më e lartë se mesatarja e zakonshme për këtë periudhë të vitit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se kontinenti mund të përballet me disa javë vdekjeprurëse. Ekspertët theksojnë se valët e fundit të të nxehtit kanë ndikuar negativisht në shëndetin publik, duke shkaktuar mijëra vdekje më shumë se sa shënohen zakonisht në rrethana normale.