Për shkak të përkeqësimit të situatës nga zjarret në territorin e Bashkisë Krujë, autoritetet kanë ndërmarrë masën e evakuimit të menjëhershëm për banorët e zonës Barabit–Lluban. Ky vendim është marrë në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 për Mbrojtjen Civile dhe planeve përkatëse të emergjencave, pasi flakët janë afruar zonave të banuara.
Operacioni i shpëtimit po realizohet në koordinim ndërinstitucional midis Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefekturës së Qarkut Durrës dhe strukturave vendore të emergjencave. Në terren janë angazhuar mjete dhe efektivë nga Bashkia Krujë, Shërbimi Zjarrfikës (MZSH), Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura.
Autoritetet kanë përcaktuar prioritetet në procesin e largimit të banorëve, duke u përqendruar fillimisht te fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara. Bashkia Krujë ka njoftuar se do të garantojë strehim të përkohshëm, asistencë shëndetësore dhe nevoja bazë për të gjithë qytetarët e evakuuar. Banorëve u është kërkuar zyrtarisht të ndjekin me përparësi udhëzimet e ekipeve të emergjencës në terren për të garantuar sigurinë e tyre.
Përditësime
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi dhe ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ndodhen në terren për të koordinuar operacionet e shuarjes së zjarrit. Policia e Shtetit ka arrestuar autorin e dyshuar për nisjen e flakëve që dolën jashtë kontrollit. Situata është përkeqësuar pasi zjarri është përhapur në Malin e Krujës, ku po dëgjohen shpërthime armatimesh. Në zonën e Barabit, raportohet djegia e të paktën dy banesave, ndërsa qyteti i Krujës ka mbetur pa energji elektrike. Forca Ajrore ka angazhuar 3 helikopterë për të ndërhyrë nga ajri në vatrat më problematike.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, konfirmoi zyrtarisht se zjarri në zonën e Krujës është shkaktuar nga dora e njeriut. Autoritetet kanë lëshuar urdhër të detyrueshëm për evakuimin e plotë të banorëve në zonën e Barabit dhe Llubanit për shkak të rrezikut të menjëhershëm nga flakët.
Autoritetet zgjeruan perimetrin e emergjencës pas përhapjes së shpejtë të flakëve në lagjen Abaze të Krujës. Era e fuqishme ka favorizuar intensifikimin e vatrave, duke detyruar Forcën Ajrore të rinisë ndërhyrjen nga ajri për izolimin e zonës. Ekipet e shpëtimit po operojnë aktualisht në terren për sigurimin e banorëve të rrezikuar.