Aktivistja demokrate Evi Kokalari ka reaguar për protestën e Partisë Demokratike të zhvilluar më 8 maj 2026 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.
Në një postim në rrjete sociale, ajo ka falënderuar demokratët për mospjesëmarrjen, duke e cilësuar pjesëmarrjen si më pak se 100 veta. Sipas saj, kjo është një mesazh i fortë jo vetëm për Sali Berishën, por edhe për ata që luftojnë për të nxjerrë opozitën nga kthetrat e atyre që i konsideron monstra.
Postimi i plotë i Evi Kokalarit është si vijon: "Bravo demokratë. Më pak se 100 veta në protestën e Berishës sot. Keni dhënë një super mesazh jo vetëm Berishës, por edhe neve që po bëjmë luftën për ta nxjerrë opozitën nga kthetrat e këtyre monstrave. Ja, kjo është shpresa për shpëtimin e vendit! Dashuri për të gjithë ju që qëndruat në shtëpi sot."
Evi Kokalari, aktiviste shqiptaro-amerikane, nuk u lejua të garojë për postin e kreut të PD-së për shkak të mosplotësimit të kritereve. Në vitet 2021 dhe 2022, ajo u shfaq në krah të Sali Berishës gjatë përplasjes me Lulzim Bashën dhe rithemelimit të PD-së, por më pas u bë një nga kundërshtaret e tij. Ajo pretendon se Berisha nuk mbajti premtimet e bëra gjatë foltoreve dhe rithemelimit.