Evi Kokalari ka shpallur kandidaturën për kryetare të Partisë Demokratike kundër kryetarit aktual Sali Berishës në zgjedhjet e brendshme të 23 majit.
Njoftimin e bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku kërkon që Berisha ta shtojë emrin e saj si kandidate kundër tij. Në postim, Kokalari thekson se emri i saj figuron në gjykatë si një nga themelueset e Rithemelimit, i cili solli marrjen e PD-së nga Lulzim Basha. Ajo shton se është bashkëthemeluese e këtij procesi bashkë me Berishën dhe paralajmëron se çdo manipulim vote do të reflektohet dhe dokumentohet në Departamentin e Shtetit Amerikan.
Teksti i plotë i postimit:
Sali Berisha, të lutem shto emrin tim për kandidaturë kundrejt teje në zgjedhjet e 23 majit. Si kujtesë, emri im figuron në gjykatë si një nga themelueset e rithemelimit, që u bë shkas për marrjen e PD-së nga Lulzim Basha. Në fakt, duhet theksuar se jam bashkëthemeluese e Rithemelimit me ty. Çdo manipulim vote, të premtoj që do të reflektohet dhe dokumentohet në Departamentin e Shtetit Amerikan.
Sipas burimeve, Ervin Salianji synon të kandidojë për kryetar të PD-së, por Berisha e ka deklaruar atë si vetpërjashtuar nga partia. Salianji mohon largimin dhe vazhdon takimet me anëtarët e PD-së. Zgjedhjet do të zgjedhin kryetarin për një mandat katërvjeçar.