Autoritetet federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nisur zyrtarisht hetimet ndaj Federatës së Futbollit të Argjentinës (AFA), e cila drejtohet nga Claudio Tapia. Hetimi është përqendruar në dyshimet për pastrim parash dhe mashtrim financiar, të cilat kapin vlerën e 300 milionë dollarëve.
Sipas informacioneve të raportuara nga gazeta argjentinase “La Nacion”, prokurorët federalë dhe agjentët e FBI-së janë duke shqyrtuar operacionet financiare të kryera përmes pesë institucioneve bankare në territorin amerikan. Në kuadër të këtyre veprimeve, hetuesit kanë marrë dëshmi nga biznesmeni Guillermo Tofoni mbi strukturën e kontratave tregtare ndërkombëtare të federatës.
Fokusi i hetimit është kompania “TourProdEnter LLC”, e cila është në pronësi të Habier Faronit dhe bashkëshortes së tij Erika Gillete. Nga të dhënat paraprake, rezulton se nga kjo kompani janë lëvizur rreth 260 milionë dollarë përmes bankave amerikane. Hetuesit po verifikojnë faktin se një pjesë e shumës dyshohet se është transferuar drejt shoqërive të ndryshme, ndërsa vetëm një pjesë e vogël lidhet me shpenzimet operacionale të AFA-s. Hetimi synon të përcaktojë nëse këto transaksione përbëjnë krime nën juridiksionin amerikan.