Günther Fehlinger-Jahn, kryetar i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO-s dhe kandidat për president të Austrisë në vitin 2028, i ka propozuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, të largohet përgjithmonë nga Shqipëria dhe të vendoset në Vjenë. Propozimi u bë publik më 18 tetor dhe, sipas Fehlinger-Jahn, synon të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe krijimin e kushteve për një tranzicion paqësor.
Nisma i kërkon Austrisë të shqyrtojë mundësinë e një marrëveshjeje të negociuar për largimin e Ramës nga politika. Kushtet e propozuara përfshijnë dorëheqjen e menjëhershme nga posti i kryeministrit, largimin e përhershëm nga Shqipëria dhe vendosjen në Vjenë, në përputhje me ligjet austriake. Sipas propozimit, Rama do të angazhohej të mos rikthehej në politikë dhe të mos ndërhynte në zhvillimet politike shqiptare.
Fehlinger-Jahn përmend edhe mundësinë e negocimit të mbrojtjes nga ndjekja penale ose dënimi, brenda kufijve të lejuar nga ligji. Ai sqaron se marrëveshja nuk mund të sigurojë imunitet për vepra penale që nuk mund të përfshihen ligjërisht në amnisti. Nisma, thekson ai, është propozim personal dhe nuk përbën marrëveshje ekzistuese apo ofertë zyrtare të autoriteteve austriake.
Zgjedhjet dhe tranzicioni
Propozimi përfshin masa për zgjedhje të besueshme dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve. Fehlinger-Jahn kërkon vëzhgim të pavarur ndërkombëtar, qasje të barabartë në media dhe transparencë gjatë numërimit të votave. Ai kërkon gjithashtu që Rama të deklarojë publikisht se nuk do të kandidojë më.
Në reagimin e tij, Fehlinger-Jahn tha se një marrëveshje e negociuar duhet t’u japë fund protestave dhe dhunës në rrugë, duke garantuar njëkohësisht të drejtën për tubime paqësore. Në përfundim, ai i bëri thirrje Ramës të pranojë atë që e quajti “marrëveshja e Vjenës”, të japë dorëheqjen dhe të tërhiqet, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara. Sipas tij, vendi ka nevojë për tranzicion demokratik paqësor dhe hapa drejt integrimit evropian.