Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, nuk do të jetë në dispozicion të ekipit të Hoffenheim për sfidën hapëse të sezonit të ri në Bundesligë kundër Kolnit. Lajmi u konfirmua të premten nga trajneri Christian Ilzer gjatë konferencës për shtyp përpara takimit, i cili është planifikuar të zhvillohet të shtunën në orën 15:30.
Sipas trajnerit austriak, futbollistit i duhet kohë shtesë për të arritur gjendjen e plotë fizike. Asllani i nisi me vonesë përgatitjet për sezonin e ri për shkak të një shqetësimi të lehtë në gju, ndërsa tani po integrohet gradualisht në seancat stërvitore të skuadrës. Pjesë e klubit gjerman janë edhe dy futbollistët e tjerë kosovarë, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.
E ardhmja e 24-vjeçarit mbetet ende e pasigurt. Sulmuesi ishte pranë një transferimi te skuadra e Leipzigut, mirëpo marrëveshja mes palëve dështoi në momentet e fundit për shkak të vlerësimit të gjendjes së tij fizike. Pas këtij dështimi, në medie është raportuar se në garë për shërbimet e tij është rikthyer Dortmundi. Gjatë sezonit të kaluar, Asllani pati një paraqitje mjaft të mirë, duke realizuar 11 gola dhe 10 asistime në garat e Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë.