Kryetari i degës së dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, Florian Dushi, ka reaguar publikisht pas takimit të zhvilluar ndërmjet kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Dushi ka analizuar qasjen politike të kryeministrit në detyrë dhe të subjektit që ai drejton.
Sipas Dushit, Albin Kurti dhe partia e tij kanë dëshmuar vazhdimisht se nuk janë të interesuar për stabilitetin e institucioneve të vendit. Ai theksoi se kjo organizatë politike e mbështet veprimtarinë e saj te provokimi dhe thellimi i krizave, të cilat më pas shfrytëzohen për përfitime politike.
“Tashmë e ka dëshmuar shumë herë Kurti dhe organizata e tij se nuk e duan stabilitetin. Ata duan krizë, sepse me kriza u rritën dhe në krizë mbijetojnë. Krizat i krijojnë, i thellojnë dhe pastaj i shfrytëzojnë politikisht”, shkroi Dushi.
Në reagimin e tij, Dushi vlerësoi se në momentet kur vendit i nevojitet qetësi, normalitet dhe institucione që funksionojnë siç duhet, kjo qasje politike shkakton përçarje, konflikte dhe kriza të reja. Qëndrimi i tij vjen si një vlerësim kritik pas dialogut të zhvilluar ndërmjet dy liderëve politikë kryesorë në vend.