Ditët e fundit të muajit gusht kanë sjellë një lëvizje të shtuar të qytetarëve dhe automjeteve nga Kosova në drejtim të bregdetit të Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Stacioni i Policisë Kufitare Morinë/Kukës, në intervalin kohor nga ora 05:00 deri në orën 10:00 të së shtunës, janë regjistruar 24,408 shtetas të Kosovës që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë.
Përveç numrit të udhëtarëve, autoritetet kanë raportuar edhe një fluks të lartë të mjeteve të transportit, ku gjithsej kanë kaluar kufirin 8,592 mjete të vogla dhe autobusë. Ky fluks i lartë i mjeteve ka nisur që në orët e para të mëngjesit dhe pritet të vijojë përgjatë gjithë fundjavës.
Sipas vlerësimeve, lëvizjet e shtuara lidhen me dëshirën e pushuesve kosovarë për të shfrytëzuar periudhën e mbetur të sezonit veror në plazhet e Shqipërisë, destinacion ky që vijon të mbetet ndër më të preferuarit për qytetarët e Kosovës.
Përditësime
Shtohet ndjeshëm qarkullimi i automjeteve në segmentin nga Morini deri te Pika e Pagesës në Rrugën e Kombit. Për të përballuar fluksin, Policia Kufitare ka vënë në funksion të gjitha sportelet në pikën e kalimit kufitar. Njëkohësisht, autoritetet kanë ndërmarrë masa shtesë në Pikën e Pagesës për të shmangur krijimin e radhëve të gjata të automjeteve.