Autoritetet franceze kanë njoftuar masa të shtuara për shkak të valës së pestë të të nxehtit që ka goditur vendin gjatë kësaj vere. Shërbimi meteorologjik kombëtar, Météo-France, ka vënë në alarm portokalli 22 departamente, pasi temperaturat parashikohet të rriten ndjeshëm në pothuajse të gjithë territorin francez. Sipas parashikimeve, në disa zona vlerat termike mund të kalojnë pragun e 40 gradëve Celsius, ndërsa kulmi i këtij fenomeni pritet të arrihet në mesin e javës, siç njoftoi transmetuesi BFMTV.
Përveç shqetësimeve për shëndetin publik, autoritetet kanë paralajmëruar se rreziku nga zjarret do të mbetet i lartë gjatë ditës së hënë dhe të martë në shumë zona të vendit. Temperaturat e larta pritet të vazhdojnë deri në ditën e premte, ndërsa një ulje graduale e tyre parashikohet më pas. Lehtësimi nga i nxehti mund të vijë ditën e shtunë, kur në pjesët lindore të Francës parashikohen reshje shiu.