Në një konferencë për mediat, ministri i Kulturës, Inovacionit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri me dije se frika nga lufta në Lindjen e Mesme ka çuar në rritje të kërkesës për turizëm në Shqipëri. Turistët e huaj, që planifikonin pushime në Dubai, po e zgjedhin Shqipërinë si destinacion të sigurt.
"Turistët janë në rritje. Sa i përket atyre që do të shkonin në Lindjen e Mesme, me keqardhje sepse nuk na kënaq fatkeqësia e askujt, por kjo po e bën Shqipërinë një destinacion të preferuar për plane të reja pushimesh", u shpreh Gonxhja. Ai theksoi se operatorët turistikë kanë raportuar rritje të ndjeshme të kërkesës.
Ministri përmendi gjithashtu rritjen e vizitueshmërisë në institucionet kulturore. "Sot ka më shumë vizitorë në Teatrin Kombëtar. Edhe Teatri Eksperimental ka një rritje të biletave të shitura. Përveç teatrove, edhe sitet kulturore kanë njohur një rritje të kërkesës për vizitueshmërinë e tyre", tha ai.
Gonxhja foli për ndërtimin e muzeut të ri arkeologjik pranë sheshit Nënë Tereza. "Muzeu i ri arkeologjik është një lajm shumë i mirë, sidomos për një Tiranë vibrante. Ai është i domosdoshëm si në aspektin turistik, ashtu edhe në atë kulturor, në mënyrë që të kemi një menu gjithnjë në rritje ofertash për turistët", deklaroi ministri.
Në fund, ai u ndal te projektet e reja kulturore në të gjithë vendin. Deri më tani, numërohen rreth 700 aplikime, nga të cilat 250 janë shpallur fituese.