Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka zyrtarizuar ndryshimet në rregulloren e kampionateve kombëtare, të cilat do të hyjnë në fuqi duke nisur nga sezoni sportiv 2026–2027. Ky vendim është ndërmarrë në kuadër të strategjisë për zhvillimin e futbollit në vend, duke synuar rritjen e minutave për futbollistët e rinj dhe konsolidimin e bazës për ekipet kombëtare.
Sipas vendimit të marrë, në Abissnet Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë, çdo skuadër ka detyrimin të aktivizojë nga minuta e parë një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, i cili duhet të zotërojë pasaportë shqiptare. Ky lojtar duhet të zhvillojë të paktën një pjesë loje.
Për Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë dhe Kategorinë e Tretë, rregullat janë më specifike. Klubet në këto divizione duhet të aktivizojnë nga fillimi i ndeshjes një lojtar të së njëjtës moshë dhe shtetësi, i cili duhet të luajë gjatë gjithë kohëzgjatjes së takimit, përveç rasteve kur parashikohen përjashtime nga rregullorja.
Në rast zëvendësimi të lojtarit që plotëson këto kritere, klubet janë të detyruara të fusin në fushë një tjetër futbollist që përmbush të njëjtat kërkesa për moshën dhe pasaportën. Nëse një zëvendësim i tillë bëhet i pamundur, skuadra do të detyrohet ta vazhdojë ndeshjen me një lojtar më pak për periudhën gjatë së cilës ekziston detyrimi i aktivizimit. Përgjegjësia për zbatimin e këtyre dispozitave dhe regjistrimin e lojtarëve u takon klubeve përkatëse.