Fundjava e 7 dhe 8 nëntorit pritet të jetë kryesisht e kthjellët në pjesën më të madhe të Shqipërisë, me intervale të gjata me diell dhe vranësira të pakta kalimtare, kryesisht në zonat malore. Sipas parashikimit të sinoptikanes Elida Maloçali, nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, temperaturat do të luhaten nga 4 deri në 22°C. Era do të fryjë nga jugu me shpejtësi deri në 8 m/s, ndërsa në det pritet valëzim i forcës 1–2 ballë.
Reshje dhe erë e fortë të hënën
Ndryshimi i motit parashikohet të nisë të hënën, më 9 nëntor, me shtim të vranësirave dhe reshje shiu që në orët e para të ditës. Në pjesën më të madhe të territorit reshjet pritet të jenë me intensitet të ulët. Në zonat qendrore dhe jugore mund të ketë shtrëngata afatshkurtra, herë pas here të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Era do të fryjë nga jugu dhe mund të arrijë shpejtësinë deri në 19 m/s. Në det parashikohet valëzim i forcës 3–5 ballë.
Përmirësim i përkohshëm, pastaj rikthehet shiu
Të martën, më 10 nëntor, kushtet atmosferike pritet të përmirësohen përkohësisht. Reshjet parashikohet të rikthehen të mërkurën, më 11 nëntor, në pjesën më të madhe të vendit. Në qendër dhe në jug ato mund të shoqërohen sërish me shtrëngata afatshkurtra dhe shkarkesa elektrike.
Në ditët në vijim, temperaturat minimale pritet të rriten lehtë, ndërsa vlerat parashikohen të luhaten nga 7 deri në 23–24°C. Sipas parashikimit të cituar nga mediat, era të mërkurën mund të arrijë sërish deri në 19 m/s, me valëzim në det prej 3–5 ballësh.