Për të tretin vit radhazi, Gaza mbetet vendi më vdekjeprurës në botë për personelin humanitar. Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) njoftoi se gjatë vitit 2025 në Gaza u vranë 186 punonjës ndihme, ndërsa Sudani renditet i dyti me 71 të vrarë.
Sipas të dhënave nga Baza e të Dhënave të Sigurisë së Punëtorëve të Ndihmës Humanitare, gjatë vitit 2025 në nivel global u shënuan 907 raste të vrasjeve, plagosjeve ose rrëmbimeve të stafit humanitar. Ndonëse numri i vdekjeve ra në 350, shifrat e përgjithshme tregojnë një nivel të lartë dhune, ku 322 persona u plagosën dhe 235 të tjerë u rrëmbyen. Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Tom Fletcher, e cilësoi si të papranueshme faktin se mbi 1.000 punonjës ndihme janë vrarë gjatë tre viteve të fundit.
Rreziku nga dronët
Raporti paralajmëron se përdorimi në rritje i dronëve të armatosur dhe të lirë po e shton pasigurinë për civilët dhe personelin humanitar, veçanërisht në mjediset urbane:
- Në Sudan, dronët kanë shkaktuar 80 për qind të vdekjeve të civilëve gjatë katër muajve të parë të vitit 2026.
- Në Ukrainë, vetëm gjatë muajit prill, dronët shkaktuan vdekjen e 80 civilëve, ndërsa në maj u goditën katër autokolona humanitare.
- Në Kolumbi, sulmet me dronë të armatosur janë katërfishuar midis viteve 2024 dhe 2025.
Sipas të dhënave të OKB-së, dhuna vazhdon të jetë prezente edhe përgjatë vitit 2026, ku deri më tani janë raportuar 82 punonjës të vrarë, 97 të plagosur dhe 39 të rrëmbyer në mbarë botën.
Përditësime
Të dhënat përfundimtare për vitin 2025 konfirmojnë një rënie të lehtë të numrit të punonjësve humanitarë të vrarë në nivel global, duke shkuar në 350 persona. Pavarësisht kësaj tendence, Sudani është renditur si vendi i dytë më i rrezikshëm për stafin e ndihmës, me 71 të vrarë gjatë kësaj periudhe.