Gjatë protestës së zhvilluar sot pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, e cila kishte për qëllim kundërshtimin e ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, gazetari i Kosova News, Jeton Sopa, u përball me fyerje dhe dhunë fizike. Incidenti ndodhi ndërsa ishte duke u mbajtur një seancë e jashtëzakonshme parlamentare. Sipas rrëfimit të gazetarit, ai u rrethua, u shty dhe u godit nga një grup protestuesish, ku njëri prej tyre dyshohet se mbante veshje të veteranëve të UÇK-së. Sulmuesit e akuzuan padrejtësisht gazetarin për lidhje me Fatmir Shehollin.
Sopa deklaroi se, pavarësisht sqarimit të tij se është ish-ushtar i UÇK-së dhe gazetar që po kryente detyrën, turma nuk u qetësua. Ai theksoi se sulmi lidhet me hulumtimet e tij mbi keqpërdorimet e personave që, sipas tij, qëndrojnë në krye të këtyre protestave. Gazetari ka njoftuar se ka iniciuar procedurat ligjore pranë stacionit policor për këtë rast.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënoi ashpër sulmin fizik ndaj gazetarit të Kosova News dhe shprehu shqetësim të thellë për sigurinë e ekipeve mediale në terren. Në një reagim zyrtar, AGK u bëri thirrje të gjitha palëve që të respektojnë punën e gazetarëve dhe të mos i pengojnë ata në detyrën e tyre. Njëkohësisht, AGK u apeloi të gjithë punonjësve të mediave që të tregojnë kujdes të shtuar, të mbajnë distancë nga zonat e përplasjeve midis protestuesve dhe policisë, si dhe të pajisen me mjete mbrojtëse për shkak të rrezikut nga përdorimi i gazit lotsjellës dhe mjeteve piroteknike.
Përditësime
Një protestues i veshur me uniformën e veteranëve të UÇK-së dyshohet se është përfshirë në sulmin fizik ndaj gazetarit Jeton Sopa gjatë protestës te Kuvendi.