Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas raportimeve për bllokimin e llogarive në rrjetin social Instagram të qytetarëve dhe aktivistëve që mbështesin protestën e vazhdueshme kundër qeverisë. Sipas Bardhit, këto veprime përbëjnë një formë censure që ka për qëllim kufizimin e zërave kritikë dhe heshtjen e shoqërisë në hapësirën publike.
Në deklaratën e tij, Bardhi e krahasoi këtë fenomen me ngjarjet e ndodhura gjatë protestave masive të studentëve në Serbi kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiçit. Ai theksoi se kryeministri Edi Rama po përdor të njëjtat metoda për të mbuluar atë që ai e cilësoi si dështim të qeverisë së tij.
"Ky është algoritmi i censurës së një kryeministri që kërkon ta mbulojë dështimin e vet me heshtjen e shoqërisë", deklaroi Bardhi. Ai shprehu solidaritet me të gjithë qytetarët që janë prekur nga këto masa, duke nënvizuar se veprime të tilla nuk mund të pengojnë shprehjen e lirë të bindjeve. Bardhi e mbylli reagimin duke theksuar se nuk ekziston asnjë mekanizëm censure që mund ta shpëtojë një qeveri nga e vërteta, duke i bërë thirrje qytetarëve të vijojnë protestën e tyre të nisur prej më shumë se tre muajsh.
Përditësime
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, denoncoi mbylljen e faqes së tij zyrtare në Instagram. Shehaj paralajmëroi ndërkombëtarizimin e çështjes së censurës, duke konfirmuar dërgimin e një raporti në Kongresin Amerikan dhe Parlamentin Europian. Opozita vlerëson se intensifikimi i masave ndaj rrjeteve sociale lidhet me rolin e tyre në denoncimin e rasteve të korrupsionit qeveritar.