Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi më 11 shkurt 2026 ndaj qëndrimit të kryeministrit Edi Rama për protestën e opozitës të mbajtur një ditë më parë para kryeministrisë.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi protestën e Partisë Demokratike të së martës si të dhunshme. Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkroi se Rama foli si diktatorët që duan të mbajnë pushtetin me dhunë dhe se qetësia e tij është zhdukur nga frika dhe paniku.
Ai theksoi se reagimi i policisë kundër qytetarëve, deputetëve dhe të miturve reflekton frikën e Ramës për humbjen e pushtetit. "Edi Rama ka frikë. Frikë se njerëzit nuk heshtin më. Frikë se ata nuk tërhiqen. Frikë se opozita nuk zmbrapset", deklaroi Bardhi.
Sipas tij, kur pushteti vepron me mllef dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve, ai ndien fundin. Bardhi siguroi se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotsjellës, as me shkopinj gome.
Ai paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin. "Gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron", përfundoi kreu i grupit parlamentar demokrat.