Ish-prokurori i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), Geoffrey Nice, ka deklaruar se mënyra e përmendjes së shtatë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në aktgjykimin ndaj katër ish-drejtuesve të saj është e pazakontë. Personat për të cilët bëhet fjalë janë Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Shukri Buja dhe Sabit Geci.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Nice shpjegoi se, ndonëse në praktikat gjyqësore është e zakonshme të referohet veprimi në kuadër të një "ndërmarrjeje të përbashkët kriminale me persona të panjohur", përfshirja e emrave specifikë në këtë formë mbetet një veprim i paprecedentë.
Ai theksoi se aktualisht nuk mund të bëhet një vlerësim i plotë mbi rëndësinë juridike të këtyre përmendjeve. Sipas tij, është e domosdoshme të pritet publikimi i plotë i aktgjykimit dhe arsyetimi i trupit gjykues, të cilat do të shpjegojnë qartë arsyet dhe lidhjen e këtyre personave me gjetjet e gjykatës në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.