Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u ka bërë thirrje subjekteve politike që të angazhohen në dialog për tejkalimin e ngërçit institucional në vend. Kjo kërkesë vjen pas bojkotimit nga opozita të takimit të thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Përmes një reagimi publik, Gërvalla ka vlerësuar se përfaqësuesit politikë duhet të shfaqin pjekuri duke lënë mënjanë interesat partiake. Sipas saj, pjesëmarrja në tryezën e dialogut është një detyrim ndaj qytetarëve dhe Republikës. "Kush kërkon zgjidhje, nuk bën zhurmë dhe nuk i ikën tavolinës së dialogut", është shprehur ajo.
Gërvalla ka argumentuar se arritja e një marrëveshjeje për një president konsensual nuk përbën dobësi politike, por përgjegjësi shtetërore. Ajo ka kërkuar nga të gjitha palët që të propozojnë emra konkretë, me qëllim që të sigurohet funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve. Sipas saj, bojkotimi i dialogut nga ana e opozitës është ikje nga përgjegjësia dhe përdorim i krizës institucionale si instrument politik.
Në qëndrimin e saj, ajo ka potencuar se Kosova nuk ka nevojë për një tjetër krizë, por për bashkëpunim për çështjet madhore. Gërvalla ka ritheksuar se zgjidhjet prodhohen vetëm në tavolinën e dialogut, duke u bërë thirrje liderëve politikë të ndryshojnë qasjen aktuale në dobi të interesit të përgjithshëm të shtetit.