Ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu vizitoi në Spitalin Rajonal të Durrësit nëndrejtorin e Policisë së Durrësit dhe pesë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët u plagosën gjatë protestës së zhvilluar në qytet. Të gjashtë po marrin trajtim mjekësor dhe, sipas ministres, janë jashtë rrezikut për jetën.
Në një reagim të shpërndarë në rrjetet sociale, Spahiu shprehu mirënjohje dhe mbështetje për mjekët, infermierët, ekipet e urgjencës dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë në të gjithë vendin. Ajo tha se ata po përballojnë situatën dhe po sigurojnë kujdesin e nevojshëm për personat e lënduar.
Ministrja u bëri thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të kujdesen së bashku për fëmijët dhe të rinjtë, t’i ndërgjegjësojnë dhe t’i mbrojnë nga përfshirja në akte dhune, të cilat mund të rrezikojnë jetën dhe të ardhmen e tyre.
Duke iu drejtuar nxënësve dhe studentëve, Spahiu tha se protesta paqësore është e drejta e tyre legjitime, por dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk mund të justifikohet nga asnjë kauzë. Ajo theksoi se askush nuk duhet të rrezikojë jetën apo shëndetin për shkak të dhunës dhe se respekti për jetën, sigurinë dhe dinjitetin e çdo qytetari duhet të qëndrojë mbi gjithçka.