Detajet e vdekjes dhe dëshmitë e mëparshme
Allison Guerriero, 52-vjeçare, është ndarë nga jeta në banesën e saj në Florida. Lajmi u bë i ditur nga tabloidi britanik Daily Mail, ndërsa babai i saj pohoi se ajo ka vdekur më 27 gusht, duke hedhur poshtë dyshimet për një vetëvrasje të mundshme. Rrethanat e plota të vdekjes mbeten ende për t'u sqaruar nga autoritetet amerikane.
Guerriero njihej si një prej personave që u dha informacion hetuesve amerikanë në lidhje me veprimtarinë e Charles McGonigal, ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju-Jork. Në dëshmitë e saj, ajo kishte përmendur udhëtimet e ish-zyrtarit në Shqipëri dhe takimet e tij me kryeministrin Edi Rama. Sipas deklaratave të saj, McGonigal fliste shpesh për kryeministrin shqiptar, me të cilin thuhej se kishte një marrëdhënie personale.
Dënimet e McGonigal dhe dosja shqiptare
Charles McGonigal u shpall fajtor dhe u dënua në dy procese të ndara gjyqësore në SHBA:
- Në dhjetor 2023, një gjykatë në Nju-Jork e dënoi me 4 vjet e 2 muaj burg dhe një gjobë prej 40 000 dollarësh për bashkëpunim dhe shkelje të sanksioneve amerikane ndaj oligarkut rus Oleg Deripaska.
- Në shkurt 2024, Gjykata Federale e Uashingtonit e dënoi me 28 muaj burgim për fshehje të kontakteve me zyrtarë shqiptarë dhe marrjen e 225 mijë dollarëve cash nga ish-agjenti i inteligjencës shqiptare, Agron Neza.
Pavarësisht përmendjes së emrit të kryeministrit Edi Rama në dokumentet e gjykatës, drejtësia amerikane nuk ngriti asnjë akuzë penale ndaj tij.
Përditësime
Policia e Boynton Beach deklaroi se nuk ka shenja të dukshme të ndërhyrjes kriminale në vendin e ngjarjes, ndërsa familja pret raportin e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Pak orë përpara ndarjes nga jeta, Allison Guerriero kishte publikuar dhjetëra video në platformën X, ku kritikonte ashpër FBI-në. Gjatë lidhjes 18-mujore me Charles McGonigal, Guerriero kishte raportuar gjetjen e 80 mijë dollarëve cash në apartamentin e tyre të përbashkët.
Policia konfirmoi se ndërhyrja në banesën e Allison Guerriero është kryer në orën 20:03 të së enjtes. Babai i viktimës, Bill Guerriero, ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e vetëvrasjes, duke shprehur rezerva të forta mbi shkaqet e ngjarjes. Guerriero ishte tepër aktive në rrjetin social X, ku kishte publikuar rreth 75 postime në orët para vdekjes. Në këto mesazhe, ajo kërkonte publikisht zgjerimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të tjerë të FBI-së, duke theksuar se vëmendja nuk duhet të përqendrohej ekskluzivisht te ish-partneri i saj, Charles McGonigal.
Hetuesit e FBI-së e morën në pyetje Allison Guerrieron në vitin 2019 në lidhje me aktivitetet e ish-partnerit të saj, Charles McGonigal. Guerriero bashkëpunoi me autoritetet amerikane duke ofruar informacione për çështjen. Në komunikimet e saj publike, ajo kishte akuzuar hapur kryeministrin Edi Rama si një nga politikanët më të korruptuar.
Policia në Boynton Beach konfirmoi se në vendngjarje nuk ka pasur shenja të dukshme të ndërhyrjes kriminale. Babai i Allison Guerriero deklaroi se vdekja e saj u shënua zyrtarisht në mbrëmjen e 27 gushtit. Në postimet e fundit publike, Guerriero përmendi lidhjet shoqërore me ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudy Giuliani, dhe zyrtarë të lartë si ish-zyrtari i FBI-së, Douglas Leff, kongresmenin Jim Jordan dhe ish-agjentin Steve Friend. Ajo pretendoi se i kishte dërguar dy deklarata zyrtare si whistleblower kongresmenit Jim Jordan, të cilat mbetën pa përgjigje.