Një 18-vjeçar po vijon trajtimin mjekësor në Njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas lëndimeve të rënda që pësoi gjatë një incidenti në një vendpunishte në Prishtinë. Ngjarja ndodhi pas rrëzimit të një vinçi, incident i cili fatkeqësisht i mori jetën edhe një punëtori tjetër të moshës 26-vjeçare.
Drejtor i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka, ka njoftuar se 18-vjeçari u pranua në këtë njësi dje rreth orës 22:00, pas konsultimeve dhe ekzaminimeve mjekësore. Sipas tij, pacienti ka pësuar lëndime të rënda në regjionin e organeve, por aktualisht parametrat e tij vitalë janë të qëndrueshëm. Ai ndodhet nën monitorimin e vazhdueshëm të ekipeve mjekësore.
Në lidhje me viktimën 26-vjeçare të këtij rasti, Shaqir Uka bëri të ditur se lëndimet kanë qenë shumë serioze dhe, përkundër ndërhyrjeve mjekësore, ai nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të marra.
Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik, duke vënë theksin te siguria e punëtorëve në vendet e punës, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë, dhe nevojën për masa më të rrepta parandaluese.
Përditësime
Pas incidentit të së martës në Prishtinë, ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar lëndime të rënda në gjoks, bark dhe sistemin skeletor të 18-vjeçarit. Ndërkohë, burime zyrtare kanë saktësuar moshën e punëtorit që humbi jetën, duke e korrigjuar atë nga 26 në 20 vjeç.