Kryetari i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA-së, gjenerali Dan Caine, ka ndërmarrë nisma për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti ushtarak me Iranin. Sipas informacioneve të raportuara fillimisht nga CNN, gjenerali ka zhvilluar diskutime private me zyrtarë të lartë të administratës, duke përfshirë drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidentin JD Vance.
Sipas gjeneralit Caine, opsionet ushtarake aktuale për përshkallëzimin e konfliktit paraqesin rreziqe strategjike, pasi fuqia ajrore e vetme nuk garanton arritjen e objektivave të presidentit Donald Trump. Ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga ushtria është konsumimi alarmant i rezervave të municioneve dhe mundësia që përshkallëzimi të shkaktojë kundërsulme të ashpra nga Teherani. Gjenerali ka theksuar se, ndonëse ushtria amerikane ka kapacitetin të godasë rëndë Iranin, përdorimi i mëtejshëm i forcës nuk përfaqëson zgjidhjen më të mirë strategjike.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka kundërshtuar vazhdimisht idenë e vendosjes së trupave tokësore në Iran, duke preferuar bombardimet ajrore si mjet presioni për të detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje. Në këtë kontekst, zyrtarët po vlerësojnë mundësitë për uljen e tensioneve që do t'i lejonin administratës të paraqesë një rezultat pozitiv diplomatik. Sipas raportimeve të TV Klan, përpjekjet diplomatike mbeten aktive, me fokus të veçantë te një marrëveshje e mundshme mes Iranit dhe Omanit për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, që do të mundësonte zhbllokimin e porteve iraniane.