Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se Gjermania nuk mund të vazhdojë aktualisht furnizimin e Ukrainës me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot. Në një intervistë për grupin mediatik Funke, ai tha se Berlini ka dorëzuar tashmë disa sisteme dhe një numër të konsiderueshëm raketash, por nuk mund të ofrojë më shumë për momentin.
Pistorius shpjegoi se pajisjet e tjera që do të dërgoheshin nuk mund të zëvendësoheshin për një periudhë të caktuar kohore. Sipas tij, kjo do të krijonte boshllëqe në mbrojtjen gjermane, të cilat vendi nuk mund t’i lejojë. Ai tha se Gjermania ka arritur kufijtë e kapaciteteve të saj aktuale për këto furnizime.
Ministri tha se disa vende aleate kanë kontribuar shumë më pak se Gjermania në mbështetjen ushtarake të Ukrainës dhe u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të shtojnë ndihmën për Kievin. Ai kërkoi që furnizimet ushtarake të diskutohen në takimin e ardhshëm të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, i cili pritet të mbahet në mesin e nëntorit.
Pistorius u shpreh pesimist për mundësinë e arritjes së një armëpushimi në Ukrainë në të ardhmen e afërt, duke vlerësuar se shanset për një marrëveshje mbeten të pakta.
Sipas të dhënave të bëra publike, Gjermania ka ofruar rreth 43,3 miliardë euro ndihmë humanitare dhe 57,6 miliardë euro mbështetje ushtarake që prej nisjes së pushtimit rus.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi për pasojat e mungesës së raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa Ukraina përballet me sulme të vazhdueshme ruse. Në një mesazh në platformën X, ai shkroi se fushata e sulmeve balistike ruse vazhdon dhe se, për shkak të mungesës së raketave Patriot, ka pasur goditje të konsiderueshme.