Gjermania ka paraqitur një nismë ligjore për vendosjen e taksës mbi pijet që përmbajnë sheqer dhe për kufizimin e pijeve energjike për personat nën moshën 16 vjeç. Kjo masë vjen në kuadër të përpjekjeve për të luftuar obezitetin tek fëmijët dhe gëzon mbështetje të gjerë ndërpartiake.
Propozimi pritet të hidhet në votim këtë të premte në Bundesrat, organin federal që përfaqëson 16 landerët gjermanë. Drafti nuk përcakton ende nivelin e taksës, por parashikon që të ardhurat të kanalizohen në programe për përmirësimin e shëndetit publik.
Kryeministri i Schleswig-Holstein, Daniel Günther, një nga iniciatorët, theksoi se industria ushqimore duhet të rishikojë formulat e produkteve. Kufizimet për pijet energjike lidhen me përmbajtjen e lartë të kafeinës, taurinës dhe sheqerit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 100 vende kanë aplikuar taksa të tilla, duke përfshirë rreth gjysmën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si Belgjika, Franca dhe Portugalia.
Edhe pse partia CDU, pjesë e së cilës është Günther, refuzoi një propozim të ngjashëm në shkurt, tani disa deputetë e mbështesin bashkë me të Gjelbrit dhe Socialdemokratët. Sondazhet tregojnë se rreth 60% e qytetarëve gjermanë janë në favor.
Një studim i vitit 2024 nga Universiteti Teknik i Mynihut vlerëson se një taksë si ajo e Mbretërisë së Bashkuar do të ulte konsumin ditor të sheqerit me 2-3 gramë për person.