Ndeshja mes Interit dhe Atalantës në fundjavë në San Siro u mbyll me tension të lartë pas sinjalit përfundimtar. Zëvendëstrajneri serb i Interit, Aleksandar Kolarov, hyri në fushë dhe iu drejtua gjyqtarit për shpjegime. Ai shtyu lojtarin e Atalantës De Roon, i cili iu përgjigj menjëherë.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti i Atalantës, ndërhyri fillimisht për të ndarë palët. Megjithatë, tensioni u përhap edhe mes tij dhe Kolarovit, duke çuar në një konfrontim të afërt me kacafytje. Pjesëtarët e të dy skuadrave i ndanë për të shmangur përshkallëzimin.
Gjimshiti nuk u tërhoq dhe, para se të largohej nga terreni, e ftoi Kolarovin për duel në dhomat e zhveshjeve. Pamjet e incidentit, të publikuara nga DAZN Italia me titullin "Scintille al fischio finale", tregojnë shkëndijat mes tyre, duke përfshirë fyerje verbale. Videoja konfirmon përplasjen e Gjimshitit drejtpërdrejt me Kolarovin, si dhe animet me De Roon dhe Barella.
Incidenti po bën bujë në mediat italiane.