Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, reagoi pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e grave nga dhuna.
Gjini veçoi fjalinë që Zekaj kishte shkruar: “Uroj që të mos jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”. Ai e cilësoi atë si testament dhe tha se viktima e kishte kuptuar rrezikun me të cilin përballej.
“Tetë gra të vrara brenda vitit janë tetë dëshmi se sistemi ynë nuk mbron askënd. Këtu po flasim për një shtet që thjesht nuk ekziston për njerëzit e vet”, shkroi Gjini.
Ai kërkoi përgjegjësi institucionale dhe tha se rasti duhet të pasohet nga arrestime, shkarkime dhe dorëheqje të menjëhershme të personave që, sipas tij, e injoruan alarmin e viktimës. Sipas Gjinit, nëse këto masa nuk merren, institucionet nuk mund të konsiderohen më mbrojtëse të ligjit.
“Ato janë spektatore të krimit”, përfundoi ai.