Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, kritikoi zhvillimet rreth Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe doli në mbrojtje të deputetit të PDK-së, Përparim Gruda. Në emisionin “Context” në ATV, Gjini tha se Aleanca e kishte mbështetur ligjin sinqerisht, por se, sipas tij, zhvillimet e fundit tregonin që çështja nuk ishte trajtuar as nga ana taktike, as nga ajo strategjike.
“Kjo që ka ndodhur me të vërtetë është e turpshme. As taktikisht, si çështje ligjore, as strategjikisht, nuk ka kurrfarë lidhjeje me atë që të paktën ne si Aleancë e kemi marrë shumë sinqerisht”, u shpreh Gjini.
Ai tha se dihej paraprakisht që ligji mund të kthehej nga njëra prej Dhomave të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, nëse do të vlerësohej se përmbante shkelje.
Gjini kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po trajtohej Gruda. Ai tha se deputeti ishte nxjerrë fillimisht në studio televizive për të folur për ligjin, ndërsa tani po lihej të përballej vetë me pasojat. “E nxjerrin nën autobus njeriun që e nxorën nëpër studio me e bë ligjin. Le ta shkelë autobusi”, tha ai.
Kryetari i Aleancës shprehu shqetësim për atë që e cilësoi si mungesë sinqeriteti në politikë dhe përpjekje për ta shfrytëzuar situatën për interesa të momentit. Ai kritikoi gjithashtu Qeverinë e Kosovës, duke thënë se asaj iu deshën dy javë dhe se priti deri në ditën e fundit për ta dërguar ligjin në Kuvend.