Pas më shumë se një viti seancash paraprake, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për kalimin për gjykim të dosjes ndaj ish-drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ilir Beqaj, dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë.
Dosja i është rikthyer SPAK-ut për plotësim hetimesh, ndërsa prokurorja e çështjes, Elida Kaçkini, është caktuar me një afat kohor deri më 30 tetor për të përmbushur mangësitë e konstatuara. Për këtë çështje, aktualisht në masën e sigurisë "arrest me burg" vazhdojnë të qëndrojnë vetëm Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj.
Ilir Beqaj, i cili u arrestua më 4 korrik 2024, përballet me pesë akuza penale: “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tenderë”, “falsifikim dokumentash”, “mashtrim” në bashkëpunim dhe “mosdeklarim pasurie”. Sipas hetimeve, Beqaj dyshohet se gjatë periudhës 2022-2023, në cilësinë e drejtuesit të SASPAC-ut, ka favorizuar të paktën tetë procedura tenderimi lidhur me projektet e EUSAIR, të cilat prokuroria i konsideron fiktive.
Organi i akuzës pretendon se tenderët realizoheshin vetëm në dokumente, ndërsa fondet përvetësoheshin përmes kompanive të lidhura me këtë skemë. Në kuadër të këtyre hetimeve, janë zbuluar gjithashtu prova mbi kalimin e fondeve në llogaritë e një restoranti, i cili dyshohet se drejtohej në mënyrë të tërthortë nga ish-ministri.
Çdo person i përfshirë në këtë çështje prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Përditësime
Hetimet ndaj ish-drejtorit të SASPAC, Ilir Beqaj, po zgjerohen me akuza të reja. Burime nga prokuroria konfirmuan se dosjes i është shtuar akuza për 'pastrim parash', përveç shkeljeve të tjera të konstatuara më parë. Paralelisht, Beqaj përballet me një proces tjetër gjyqësor në GJKKO për dosjen 'Sterilizimi', ku akuzohet për 'vjedhje duke shpërdoruar detyrën' dhe 'grup kriminal'.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kërkuar plotësime të mëtejshme teknike për dosjen SASPAC. Trupi gjykues urdhëroi përkthimin e akteve procedurale nga gjuha angleze, si dhe realizimin e një ekspertimi të specializuar teknik dhe ekonomik. Gjithashtu, gjykata i kërkoi prokurorisë saktësimin e cilësimit juridik të akuzave, duke evidentuar paqartësi në formulimin e tyre aktual.