Gjykata e Apelit e Bolonjës, përmes seksionit për të miturit, ka vendosur uljen e dënimit të ish-të dashurit të 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila. Trupi gjykues vlerësoi se rrethanat lehtësuese janë të barasvlershme me ato rënduese, duke sjellë reduktimin e masës së dënimit në 15 vite.
Prokuroria e Përgjithshme, përmes prokurores Silvia Marzocchi, kishte kërkuar një dënim prej 15 vjetësh e 6 muajsh, duke argumentuar se dënimi i mëparshëm prej 17 vitesh ishte llogaritur gabimisht në shkallën e parë, pasi duhej të nisej nga baza e 24 viteve përpara uljes së gjykimit të shkurtuar. Arsyetimet e plota të këtij vendimi pritet të bëhen publike brenda 90 ditëve.
Reagimi i familjes së viktimës ka qenë i ashpër, duke e konsideruar këtë vendim si një dështim të drejtësisë. Nëna e viktimës, Morena Corbellini, ka shprehur shqetësimin se toleranca ndaj autorëve të mitur do të nxisë shtimin e akteve të tilla të dhunës. Avokati Emilio Malaspina theksoi se Aurora Tila mbetet viktima më e re e femicidit në Evropë. Familja i është drejtuar për ndërhyrje edhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, duke kërkuar një qasje më të ashpër institucionale ndaj këtyre krimeve.