Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të premten të rrëzojë ankimimin dhe të konfirmojë pezullimin e Belinda Ballukut nga detyrat si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Balluku u pezullua fillimisht më 20 nëntor nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas ngritjes së akuzave për favorizim në procedurat e prokurimit publik. Me të njëjtin vendim, iu ndalua edhe dalja jashtë Shqipërisë.
Në dhjetor, Gjykata Kushtetuese, e vënë në lëvizje nga qeveria, lejoi rikthimin e përkohshëm të saj në detyrë, në pritje të vendimit përfundimtar. Tani, gjykata konfirmoi pezullimin, siç raporton gazeta franceze Le Figaro.
Akuzat lidhen me tenderët për ndërtimin e një tuneli 5,9 kilometra të gjatë në rrugën e Llogarasë, në jug të vendit, si dhe me një segment të Unazës së Tiranës. Belinda Balluku, pjesë e qeverisë që nga viti 2019 dhe aleate e ngushtë e kryeministrit Edi Rama, i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar pezullimin si “një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv”. Le Figaro thekson se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përbën kusht kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke përmendur se disa ish-ministra të qeverisë Rama janë vënë nën hetim për çështje të ngjashme.