Gjykata Themelore e Podgoricës ka vendosur në favor të gazetës së përditshme malazeze "Vijesti", duke rrëzuar padinë e ngritur nga Andrej Vuçiq, vëllai i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Padia ishte drejtuar ndaj kryeredaktorit, një redaktori të kronikës së zezë dhe një gazetareje të këtij mediumi, në lidhje me artikullin e titulluar "Zvonko dhe Andrej festuan miliardën…".
Sipas vendimit të gjykatës, Andrej Vuçiq konsiderohet figurë publike, ndaj duhet të pranojë një nivel më të lartë të kritikës dhe interesit publik krahasuar me personat privatë. Gjykata vlerësoi se publikimi i përmbajtjes nga aplikacioni "Sky", që përfshinte komunikime mes ish-policit malazez Lubo Milloviq dhe Millosh Bozhoviq, ishte në përputhje me interesin e publikut.
Në këto komunikime të cituara nga "Vijesti" përmenden shërbimet e sigurisë së Serbisë dhe Malit të Zi, klane kriminale, si dhe biznesmeni nga Kosova, Zvonko Veselinoviq. Gjykata theksoi se kërkesa për heqjen e artikullit do të krijonte një "efekt frikësimi" (chilling effect) për median, duke dëmtuar lirinë e shprehjes dhe demokracinë.
Përveç rrëzimit të kërkesës për dëmshpërblim prej 5000 eurosh dhe kërkesës për fshirjen e tekstit, gjykata e obligoi Andrej Vuçiqin që të kompensojë shpenzimet e procedurës gjyqësore për të paditurit, në shumën prej më shumë se 3400 euro.