Në Gjykatën Administrative u zhvillua seanca për padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër prokurorit Ols Dado. Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, kërkoi transmetimin live të seancës, duke u mbështetur në Kushtetutë që përcakton lirinë e medias.
Ndreca theksoi se e drejta e çdo qytetari për të ndjekur një seancë gjyqësore është parim kushtetues i pakundërshtueshëm. Ai vuri në dukje se pala e paditur nuk specifikoi çfarë cenon transmetimi, pasi bëhet fjalë për një akt administrativ.
Mbrojtja e prokurorit Ols Dado kërkoi refuzimin e kësaj kërkese, duke argumentuar se transmetimi live cenon karrierën e të paditurit.
Trupa gjykuese u tërhoq për të vendosur dhe vendosi moslejimin e transmetimit live. Gazetarët do të jenë të pranishëm në seancë.
Sipas burimeve, është dorëzuar kërkesë për rregullim ndërgjyqësie, pasi Veliaj ka paditur edhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP). KLP ka paraqitur parashtrimet e veta si palë e paditur dhe seanca do të vazhdojë normalisht. Ndreca deklaroi se do të bëjnë parashtrimet e tyre dhe do të vlerësojnë përgjigjet e palës së paditur, KLP-së.