Gjykata e Apelit në Suedi dënoi një 52-vjeçar me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim për vepra veçanërisht të rënda të narkotikëve dhe pastrim të rëndë parash. Vendimi përfshin konfiskimin e pasurive të tij në Suedi dhe Kosovë, si dhe dëbimin e përhershëm nga Suedia.
Pasuritë që do të konfiskohen përfshijnë dy prona të paluajtshme, një veturë Audi, mjete financiare në banka, para të gatshme, ora dore dhe ar. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu masa për sigurimin e pasurive në vlerë prej 6.1 milionë koronash suedeze.
Sipas aktgjykimit, 52-vjeçari ishte përfshirë në trajtimin e 12 kilogramëve kokainë dhe të paktën 300 kilogramëve kanabis. Provat përfshinin materiale përgjimi nga shërbime të enkriptuara të komunikimit, përfshirë EncroChat.
Burri ishte arrestuar në vitin 2001 pas një incidenti me të shtëna me armë zjarri, të lidhur me grupin kriminal Original Gangsters, në zonën e plazhit Näset në Göteborg. Në atë kohë, ai ishte pjesë e grupit të quajtur Naserligan. Për rreth 25 vjet, ai konsiderohej pjesë e niveleve të larta të krimit të organizuar në qytet. Vitet e fundit ishte paraqitur si biznesmen, ndërsa policia vazhdonte ta trajtonte si person me rol strategjik në krimin e organizuar.
Prokurorja Hediye Kurt i tha gazetës Göteborgs-Posten se konfiskimi i pasurive dhe vendimi për dëbim ishin të rëndësishëm. Gjykata vendosi dëbimin e përhershëm edhe pse 52-vjeçari ka dy fëmijë të mitur. Ai i mohon akuzat dhe, sipas raportimeve, planifikon ta ankimojë vendimin në Gjykatën Supreme të Suedisë.